Ambasadori Wendt nisi detyrën në Tiranë, ngrihet flamuri amerikan në rezidencën zyrtare

TIRANË, 29 shtator /ATSH/ Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, ka nisur zyrtarisht detyrën, ndërsa Trupa e Marinsave të SHBA-së ka ngritur flamurin amerikan në rezidencën zyrtare të ambasadorit.
Ambasada e SHBA-së në Tiranë njoftoi se Trupa e Marinsave të Shteteve të Bashkuara ngriti flamurin amerikan në rezidencën zyrtare, në kuadër të nisjes së detyrës së ambasadorit Wendt.
“Një kapitull i ri nis në Shqipëri!”, thuhet në mesazhin e Ambasadës amerikane, e cila thekson rëndësinë e forcimit të aleancës mes dy vendeve.
“Nën udhëheqjen e Presidentit Trump, aleancat tona janë më të forta kur qëndrojmë së bashku, ndajmë përgjegjësitë dhe punojmë për një të ardhme më të begatë e më të sigurt për të dy vendet tona”, thuhet në njoftim.
Eric Wendt ka nisur zyrtarisht detyrën si ambasador i SHBA-së në Shqipëri më 26 shtator, kur i dorëzoi letrat kredenciale Presidentit Bajram Begaj.
1 nga 4/e.xh/a.f/r.e/