Ambasadori gjerman viziton fshatin Bisnicë në Pogradec

TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner vizitoi së fundmi fshatin Bishnicë në rrethin e Pogradecit, ku organizata gjermane humanitare “Christliches Hilfswerk Wismar” prej shumë vitesh zhvillon punë sociale dhe me të rinjtë.
Ambasada financoi sigurimin e materialeve të ndërtimit për një qendër shëndetësore, e cila u ndërtua me punë vullnetare.
Mirëmbajtja e godinës sigurohet nga Bashkia e Pogradecit, e cila në të njëjtën ndërtesë menaxhon edhe një shkollë komunitare.
Ky projekt është një shembull i bukur i ndihmës “Hilfe zur Selbsthilfe” dhe i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të ndryshme.
Ambasada gjermane shprehu në një postim në rrjetet sociale falenderime të përzemërta për Bashkinë, komunën Vërçan dhe organizatën “Christliches Hilfswerk Wismar”, si dhe për kryetarin e saj të palodhur, Frieder Weinhold.
“Së bashku kemi dhënë një kontribut të rëndësishëm për të ardhmen e Bishnicës”, thekson Ambasada gjermane.
/gj.m/r.e//a.f/