BRUKSEL – BE pezullon kundërmasat tarifore ndaj SHBA-së për gjashtë muaj

BRUKSEL, 4 gusht /ATSH/- Bashkimi Evropian njoftoi sot se do të pezullojë kundërmasat tarifore ndaj SHBA-së për gjashtë muaj, sipas “Reuters”.
Vendimi vjen pas marrëveshjes tregtare mes SHBA-së dhe BE-së të arritur, javën e kaluar.
“Bashkimi Evropian do të pezullojë dy paketat e kundërmasave tarifore ndaj SHBA-së për gjashtë muaj – pas një marrëveshjeje me presidentin e SHBA-së Donald Trump”, tha sot një zëdhënës i Komisionit Evropian.
Marrëveshja BE-SHBA lë shumë pyetje të hapura, duke përfshirë tarifat për pijet alkoolike, dhe urdhri ekzekutiv i Trump javën e kaluar që vendos tarifa për shumicën e mallrave të BE-së në 15% nuk përfshinte përjashtime të tilla si për automjetet dhe pjesët e tyre.
Zyrtarët e BE-së thanë se presin që së shpejti të pasojnë më shumë urdhra ekzekutivë.
“BE vazhdon të punojë me SHBA-në për të finalizuar një Deklaratë të Përbashkët, siç është rënë dakord më 27 korrik”, tha zëdhënësi në një deklaratë.
“Duke pasur parasysh këto objektiva, Komisioni do të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të pezulluar me gjashtë muaj kundërmasat e BE-së kundër SHBA-së, të cilat duhet të hyjnin në fuqi më 7 gusht”, shtoi ai.
Tarifat hakmarrëse janë të ndara në dy pjesë: njëra në përgjigje të detyrimeve të çelikut dhe aluminit të SHBA-së, dhe tjetra në përputhje me tarifat bazë dhe ato të automjeteve të Trump. //a.i/