E Premte, 6 Nëntor 2026

Ambasadorja e BE-së në Shqipëri: Anëtarësimi nuk është vetëm miratim ligjesh

Cilësia e reformave është kusht për integrimin në BE, ishte mesazhi i qartë që përcolli ambasadorja e BE-së në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa, gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama këtë të enjte (05.11.2026) në kuadër të dorëzimit të raportit aktual të progresit që publikon Komisioni Europian si udhërrëfyes.
Synimi i Shqipërisë për të përmbyllur negociatat deri në fund të vitit 2027 varet nga reformat dhe rezultatet konkrete. Ambasadorja e BE-së theksoi se udhërrëfyesi orientues i anëtarësimit nuk ofron rrugë të shkurtra dhe se ritmi i negociatave nuk duhet të jetë në dëm të cilësisë së reformave.

"Shpejtësia nuk mund të ofrohet në dëm të cilësisë dhe gjithëpërfshirjes, pra reformat kërkojnë konsultim të mirëfilltë dhe debat të hapur në Kuvend, që është përgjegjësi e të gjitha forcave politike në Shqipëri” – u shpreh Moreira de Sousa.

Raporti i Komisionit Europian, i publikuar një ditë më parë, konstaton një klimë thellësisht të polarizuar politike, mbikëqyrje të kufizuar parlamentare ndaj qeverisë dhe mungesë të konsultimeve publike kuptimplota.

"Problemet reale, nuk duhet të na pengojnë të çmojmë progresin real dhe anasjelltas, progresi real nuk duhet të na mbyllë sytë përballë problemeve reale”– tha kryeministri Rama.

BE: Institucionet të krijojnë hapësirë për dialog

Protestat qytetare që vijojnë prej më shumë se 150 ditësh në rrugët e kryeqytetit ishin po ashtu në fokus të konferencës.

"Shqetësimet mjedisore ishin ato që nxitën protestat paqësore, të cilat nisën në fund të muajit maj. Protestat më pas u shndërruan në një lëvizje më të gjerë që kërkonte transparencë, llogaridhënie, luftë kundër korrupsionit dhe qeverisje të mirë” – u shpreh ambasadorja e BE-së.

Duke iu referuar mobilizimit më të madh qytetar që nga tranzicioni demokratik, Moreira de Sousa theksoi se "këto shqetësime janë në fakt në thelb të procesit të anëtarësimit”.

Ambasadorja dënoi dhunën, teksa shtoi se çdo reagim ndaj akteve të dhunës duhet të mbetet proporcional dhe në përputhje me ligjin.

Kryeministri Rama u kujdes të bënte një dallim mes protestave masive të qershorit dhe përshkallëzimit të mëvonshëm të tyre. Ai tha se qeveria ka ndërmarrë masa për t'iu përgjigjur shqetësimeve qytetare, por përjashtoi dorëheqjen.

"Në asnjë rast, dorëheqja e një kryeministri të zgjedhur demokratisht dhe në kontratë me popullin nuk imponohet nga rruga” – u shpreh Rama.

Ajo që ka munguar është dialogu, theksoi diplomatja europiane.

"Pakënaqësitë duhet të zgjidhen përmes një dialogu të mirëfilltë, ndërsa ajo që u takon institucioneve demokratike është që të krijojnë hapësirën e nevojshme për zhvillimin e këtij dialogu” – tha ambasadorja.

Nga ana e tij, Rama njoftoi se do të hapet një kanal i ri komunikimi, përmes të cilit qytetarët dhe studentët do të mund të ndërveprojnë me kryeministrin dhe qeverinë.

BE, sytë te mjedisi dhe investimet strategjike


Përparimi i Shqipërisë në mbrojtjen e mjedisit ka qenë i kufizuar. Sipas raportit të Komisionit Europian, ndryshimet e vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura dhe zgjatjet e përsëritura të ligjit për investimet strategjike kanë sjellë përkeqësim të mbrojtjes së natyrës.

"Dispozitat që bien ndesh me njëra-tjetrën duhet të shfuqizohen, ndërsa projektet madhore, përfshirë atë të planifikuar në Zvërnec, do të vlerësohen përkundrejt standardeve të BE-së” – tha ambasadorja.

Ajo bëri të ditur se për këtë çështje janë zhvilluar diskutime mes përfaqësuesve të Komisionit Europian dhe autoriteteve shqiptare, të cilat do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim.

Rama, nga ana tjetër, deklaroi se qeveria ka publikuar dokumentacionin për projektet në Zvërnec dhe Sazan.

"Nuk kemi parë asnjë kontestim përmbajtjesor, pasi gjithçka është në anën tonë, për sa i takon procesit të ndjekur dhe ligjshmërisë dhe moralit të Republikës që ne përfaqësojmë në këtë proces” – u shpreh Rama.

Ambasadorja e BE-së, Sofia Moreira de Sousa, i dorëzoi këtë të enjte progres-raportin edhe Presidentit të Republikës, Bajram Begaj. Kreu i shtetit e vlerësoi atë si dëshmi të përparimit të Shqipërisë në procesin e integrimit dhe një tjetër hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit në BE.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›