Ambasadorja e Izraelit dënon heqjen e flamurit: Cenon dinjitetin e popullit shqiptar

Ambasadorja e Izraelit në Tiranë, Galit Peleg, ka reaguar pas heqjes dhe përdhosjes së flamurit të Ambasadës së Shtetit të Izraelit nga protestues të maskuar gjatë protestës së zhvilluar mbrëmjen e së shtunës në kryeqytet.
Përmes një reagimi publik, Peleg dënoi aktin, duke theksuar se veprimi nuk i shërben kauzës së protestës por sipas saj cenon dinjitetin e popullit shqiptar.
“Mbrëmë në Tiranë, protestues hoqën flamurin izraelit dhe e grisën atë mes brohoritjeve të turmës së mbledhur në vendngjarje. Si ambasadore e një shteti demokratik, unë besoj në të drejtën e popullit shqiptar për të ushtruar të drejtën e tij qytetare për të protestuar. Megjithatë, një akt i tillë jo vetëm që nuk i shërben kauzës së protestës publike, por gjithashtu cenon dinjitetin e popullit shqiptar dhe trashëgiminë e tij krenare. Falënderoj @HoxhaFer për dënimin e menjëhershëm dhe të qartë të këtij akti” shkroi ajo.
/rtsh.al/