Andis Salla nga AgroPika Lushnjë: Hapen aplikimet për Skemën Kombëtare 2026, procesi i aplikimit për fermerët është transparent dhe online

Nga AgroPika e Lushnjës u çelën zyrtarisht aplikimet për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2026, një program që synon të rrisë mbështetjen financiare dhe zhvillimin e sektorit bujqësor në vend.
Gjatë vizitës në AgroPikë, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me drejtuesen politike të qarkut Fier, Belinda Balluku, u njohën nga afër me procesin e aplikimeve dhe asistencën që po u ofrohet fermerëve për përfitimin nga skema mbështetëse.
Ministri Salla theksoi se Skema Kombëtare 2026 sjell masa konkrete për të mbështetur fermerët, rritjen e prodhimit vendas dhe fuqizimin e agrobiznesit. Ai nënvizoi se fokusi mbetet tek lehtësimi i procedurave të aplikimit dhe garantimi i aksesit më të madh për fermerët në të gjithë vendin.
“Mënyrën e aplikimit që ne kemi online dhe mënyrën me njësitë administrative me pushtetin vendor janë të gjitha transparente online sepse shkojnë në sistem dhe grumbullohen në një sistem pranë AZHBR-së i cili është dhe mënyra se si vazhdojmë me përzgjedhjen dhe dokumentacionin. Vitin e kaluar të gjithë fermerët që kanë aplikuar kanë përfituar të gjithë. Me aktin normativ në dhjetor qeveria kaloi të gjithë buxhetin”, u shpreh Salla.
Nga ana e saj, Belinda Balluku vlerësoi rëndësinë e mbështetjes së sektorit bujqësor për ekonominë lokale dhe zhvillimin rural, duke theksuar se qeveria do të vijojë investimet dhe politikat në funksion të fermerëve dhe prodhimit vendas.
/rtsh.al/