E Diel, 1 Nëntor 2026

Andoni në emisionin “3D”: Regjimi i Iranit nuk rrëzohet lehtë, skenari mbeten sulmet kirurgjikale

Analisti Ben Andoni ka deklaruar se rrëzimi i regjimit në Iran është një proces tepër i vështirë, duke marrë parasysh antropologjinë e vendit dhe strukturën e pushtetit.

Në emisionin “3D” të moderuar nga gazetari Alban Dudushi në RTSH 1 HD, ai theksoi se ndarjet e mëdha shoqërore shpesh i japin forcë regjimit aktual.

“Personalisht është shumë e vështirë për të rrëzuar regjimin në Iran. Duke njohur antropologjinë e vendit, është shumë e vështirë,” u shpreh Andoni.

Ai shtoi se ndarjet e brendshme, në vend që ta dobësojnë pushtetin, shpesh e forcojnë atë.

 “Së pari ndarjet vërtetë janë të mëdha, por këto ndarje i japin forcë regjimit të ajatollahëve, sepse regjimi duke qenë teokratik ka mundësi t’i bëjë bashkë këto pjesë,” tha analisti.

Andoni e cilësoi sistemin iranian si të çuditshëm, pasi edhe pse ekziston opozita dhe zhvillohen zgjedhje, autoriteti real mbetet tek klerikët.

 “Është një sistem i çuditshëm në Iran, sepse edhe opozitë ka dhe ‘luhet’ me pluralizmin dhe zgjedhjet, por autoriteti real është ai i ajatollahëve,” u shpreh ai.

Duke folur për skenarët e mundshëm, analisti ngriti pikëpyetje mbi pasojat e rrëzimit të regjimit.

“Problemi i madh është ai i skenarëve, se çfarë do të ndodhë nëse bie regjimi në Iran. Është shumë e vështirë, duke pasur parasysh masën e popullsisë, vendet me të cilat kufizohet Irani dhe mbi të gjitha kontrollin e potencialit të tyre,” tha Andoni.

Ai shtoi se skenari më i mundshëm, sipas zhvillimeve aktuale, janë goditjet e kufizuara ndaj figurave të veçanta të regjimit.

“Skenari më i mundshëm me sa shikohet tani janë këto sulmet kirurgjikale, duke goditur eksponentë të veçantë, por është ndryshe situata në Venezuelë dhe ndryshe në Iran. Pavarësisht problemeve ekonomike, ata kanë dekada të tëra që janë nën sanksione, por kanë gjetur mënyra të ndryshme për të manovruar,” përfundoi Andoni.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›