Angazhim i përbashkët për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave

TIRANË, 5 dhjetor /ATSH/ Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim organizoi sot me mbështetjen e Dukatit të Madh të Luksemburgut një konferencë ku u theksua rëndësia e garantimit të sigurisë, dinjitetit dhe mbështetjes afatgjatë për çdo grua dhe fëmijë në Shqipëri.
Duke bërë bashkë institucione, bashki, shoqëri civile dhe partnerë ndërkombëtarë, në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, u ritheksua angazhimi i përbashkët për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Ambasadori i Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato në fjalën e tij në këtë konferencë u shpreh se, “strehëzat janë shumë më tepër sesa hapësira emergjente; ato janë shërbime thelbësore publike që mbrojnë jetët dhe mbështesin rimëkëmbjen”.
“Financimi i qëndrueshëm dhe i parashikueshëm për to duhet të kuptohet si një përgjegjësi thelbësore e shtetit, e jo si diçka që varet nga projekte të përkohshme apo të drejtuara nga donatorët”, tha Gonzato.
“Këto strehëza dhe shërbimet e tyre duhet t’u përgjigjen realisht nevojave të viktimave të dhunës dhe fëmijëve të tyre”, shtoi ai.
“Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare duan ta ndihmojnë Shqipërinë të ndërtojë një shoqëri ku çdo grua dhe çdo fëmijë mund të jetojnë në siguri dhe të gëzojnë plotësisht të drejtat e tyre”, u shpreh ambasadori Gonzato.
/gj.m/a.f/r.e/