E Hënë, 2 Nëntor 2026

Anije e Marinës Meksikane përplaset në Urën e Bruklinit, 2 të vdekur dhe 19 të plagosur

Një anije me vela e Marinës Meksikane, Cuauhtémoc, u përplas të shtunën në mbrëmje me Urën e Brooklyn-it në New York, duke shkaktuar dy viktima dhe 19 të plagosur, nga të cilët dy janë në gjendje kritike. Ngjarja u konfirmua nga kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams.

Në bord ndodheshin 277 persona, kur anija humbi fuqinë dhe goditi pjesën e poshtme të urës. Videot e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur majat e direkëve përplasen me urën, duke u këputur një nga një.

Autoritetet raportuan se askush nuk është hedhur në ujë dhe se ndërhyrja e shpejtë e ekipeve të emergjencës shmangu një tragjedi edhe më të madhe. Anija aktualisht ndodhet e ankoruar në Pier 16 dhe pritet të zhvendoset në Pier 36 për inspektim të plotë.

Eyewitness video captured the moment a Mexican Navy sailing ship crashed into New York's Brooklyn Bridge, killing at least two and injuring 19. pic.twitter.com/lHDomf5ngz

— DW News (@dwnews) May 18, 2025

Marina Meksikane konfirmoi se anija pësoi dëme serioze dhe nuk mund të vazhdojë udhëtimin. Në total, 22 persona janë lënduar, ndërsa 19 po marrin ndihmë mjekësore në spitale lokale, 3 prej tyre në gjendje të rëndë.

Anija Cuauhtémoc, e ndërtuar në Spanjë në vitin 1982, është një anije trajnimi për kadetët meksikanë dhe ndodhej në New York si pjesë e një turneu botëror që promovon festimet Sail4th 250 për 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së në vitin 2026.

Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum shprehu ngushëllimet për humbjet e jetëve, duke thënë se ishte “thellësisht e pikëlluar”.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›