E Diel, 1 Nëntor 2026

“Anketa e Këngës Urbane” vjen në edicionin e dytë, duke sjellë prurje muzikore me nivel të lartë artistik

“Anketa e Këngës Urbane” vjen në edicionin e dytë dhe është një program muzikor e nostalgjik në Radio Tirana, që transmeton dhe vlerëson krijimtarinë muzikore ndër vite. Programi muzikor drejtohet nga Edmond Mancaku, i cili fton dëgjuesit të përfshihen në votime, por edhe të zgjedhin këngët e tyre të preferuara.

Kantautori Edmond Mancaku tregon se ky program muzikor është një vazhdimësi e anketës së disa viteve më parë dhe ka ngjallur interes te të rinjtë, ndërsa këngët e paraqitura janë në një nivel të lartë artistik.

“Faktikisht është edicioni i dytë i Anketës së Këngës Urbane, një vazhdimësi e Anketës së Këngës normale. Po unë, si të thuash, ishte një ide e imja që të jetë urbane, që të jetë gjithëpërfshirëse, pasi në këtë anketë marrin pjesë artistë profesionistë, të rinj, amatorë dhe është një dritare që Radio Tirana, Drejtoria e Tiranës edhe redaksia e kanë hapur apostafat për një cilësi më të mirë muzikore. Ka pasur shumë interes, sepse kjo shihet edhe nga telefonatat, sidomos dita e premte që ishte edhe finale, u bë gati si një telebingo, sepse merrnin pjesë telefonatat e dëgjuesve, sepse ishte një garë, si të thuash, domethënë që në bazë të telefonatave të dëgjuesve vendosej edhe renditja dhe edhe çmimet”, tha Mancaku.

Çmimet e anketës muzikore do të jepen në emisionin “Në Kohë Reale”, drejtpërdrejt në RTSH.

“Ka një çmim që është ‘Radio Tirana’, që jo pa qëllim unë e vendosa së bashku me miqtë e mi pasi u konsultova, sepse Radio Tirana është një çmim shumë i madh për një artist të ri, por vendosëm, pasi ka pasur shumë prurje të mira, dhe unë, si të thuash, jam krenar që po ndërtojmë diçka, jo nga e para, sepse thashë është deviacioni i anketës muzikore, por ku ta gjesh që brezi i ri të këndojë”, tha Mancaku.

Qëllimi i “Anketës së Këngës Urbane” është tërheqja dhe paraqitja e krijimtarisë së re në muzikën tonë të lehtë.

Gazetare: Xhilda Kondi

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›