E Diel, 1 Nëntor 2026

Vijat e mbrojtjes së Ukrainës në tekstil, ekspozitë në Tiranë e artistes Olia Fedorova

TIRANË, 30 maj/ATSH/ “Linja të guximshme, linja të brishta” titullohet ekspozita personale e artistes ukrainase, Olia Fedorova e hapur në Qendrën e Artit Bashkëkohor ZETA në kryeqytet.

Miq e kolegë, sikundër edhe dashamirës të artit mirëpritën hapjen e ekspozitës në të cilën, Fedoroca vijon të punojë me peizazhet e atdheut të saj – Ukrainës – përmes hartave.

Duke folur për ATSH-në, artistja Fedorova u shpreh se hartat i reduktojnë peizazhet në grumbuj vijash, ato nuk pasqyrojnë të gjitha ato ndryshime dhe shkatërrime tragjike që u përjetuan për shkak të pushtimit të plotë rus në realitet.

“Une kam dy seri me vepra arti. Njëra i është dedikuar lumenjve, linjave të lumenjve në Ukrainë, të cilët në të njëjtën kohë shërbejnë si kufij natyralë sikundër edhe si linja mbrojtëse pasi këta lumenj ndalojnë avancimin e ushtrisë ruse. Në të njëjtën kohë, këta lumenj vuajnë më së shumti katastrofat ekologjike të sjella nga lufta”, tregon Fedorova.

“Seria tjetër ka të bëjë me kufijtë verlindorë të Ukrainës që është edhe rajoni im. Pra, këto vepra janë kufijtë e saktë me Rusinë, dhe janë përshkruar si plagë, si shenjë plage. Aty nisi lufta dhe ende kjo zonë është zonë e betejave të ashpra. Janë plagë që nuk mund të shërohen dhe kanë mbetur burim dhimbjeje”, tha Olia Fedorova.

Hartat e Vijave të Mbrojtjes përbëhen nga përfaqësime të qëndisura të lumenjve ukrainas — lumenj që kanë vuajtur thellë nga lufta, por në të njëjtën kohë kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë si vija të fuqishme natyrore mbrojtëse, duke vonuar ose parandaluar përparimin e mëtejshëm të trupave ruse.

Në formën e kufirit verilindor të Ukrainës në rajonin e Kharkivit është një perde e zezë e qëndisur me një vijë që gjurmon vijën kufitare të përmendur midis Ukrainës dhe Rusisë.

Më 24 shkurt 2022, trupat ruse kaluan kufirin ukrainas në vende të panumërta, njëra prej të cilave është pikërisht ky kufi, vetëm 40 km nga Kharkiv — vendlindja e artistes.

Deri më sot, kufiri mbetet një vend betejash të vazhdueshme dhe një burim i vazhdueshëm kërcënimi.

Ekspozita realizohet si pjesë e rezidencës së Olia Fedorovës në Tiranë në kuadër të Programit të Bursave të Atelierit të Huaj nga Land Steiermark (Qarku i Styrias, Austri).

Artistja tregoi për ATSH edhe përshtypjet nga Tirana duke vlerësuar jetën e pasur artistike që ka gjetur në kryeqytetin shqiptar, sikundër edhe mikpritjen e njerëzve.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Qendrën e Artit Bashkëkohor “ZETA” deri më 13 qershor, si ftesë për të përjetuar perspektivën e luftës nga artistja ukrainase.

E lindur në Kharkiv, Ukrainë, artistja tashmë është vendosur në Graz të Austrisë si një artiste shumë-disiplinëshe në fushën e tekstit dhe tekstilit sikundër dhe forografisë dhe videove.

Pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, përvoja e saj e shvendosjes, ndikimi i luftës tek njerëzit, mjedisi dhe gjuha janë bërë disa nga temat kryesore të punëve të saj. Fedorova ka më shumë se 10 ekspozita personale në Ukrainë, Austri, Poloni dhe Itali.

Ekspozita e artistes ukrainase Olia Fedorova, foto: ATSH 1 nga 5

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›