Apel për Alpet e pastra, udhërrëfyesit dhe aktivistët kërkojnë më shumë kujdes për mbrojtjen e natyrës

Malet janë një nga pasuritë më të bukura të Shqipërisë, ndërsa Alpet mbeten ndër zonat më të vizituara nga turistët. Për këtë arsye, ruajtja e pastërtisë së tyre është përgjegjësi e të gjithëve. Udhërrëfyesi turistik Kastriot Faci thotë se turistët e huaj tregohen më të kujdesshëm në mbrojtjen e natyrës dhe respektojnë më shumë mjedisin.
“Të huajt janë shumë të ndërgjegjësuar, ndërsa pjesa e banorëve të zonës, ndoshta kjo dhe jo për fajin e tyre, ju mungon ndërgjegjësimi për ruajtjen pikërisht të kësaj pasurie të madhe. Nëse ti shkon në një ambient shumë të bukur, natyra është treguar shumë e pasur, por ballafaqohesh me plehra, mbetje plastike të cilat nuk janë të këndshme për syrin e njeriut, por edhe si veprim edhe për natyrën, natyrisht që ti nuk merr shumë kënaqësi sa do të merr në një ambient të pastër”, tha Kastriot Faci, udhërrëfyes turistik.
Të njëjtin mendim ndan edhe aktivistja e natyrës, Nermin Shurdha, e cila bën thirrje për më shumë ndërgjegjësim në mbajtjen pastër të zonave malore.
“Fatmirësisht, sidomos pjesa e shtigjeve mbahet pastër, sepse shumica e njerëzve që frekuentojnë malin, qofshin shqiptarë apo të huaj, janë të ndërgjegjësuar për natyrën. Domethënë janë njerëz që kur shkojnë atje duan me e gjet pastër dhe në qoftë se gjejnë diçka e marrin me vete, nuk e lënë. Pjesa e maleve ku nuk kemi shumë pastërti është pjesa e poshtme ku zakonisht ka biznese”, u shpreh Shurdha.
Alpet shqiptare vijojnë të tërheqin shumë vizitorë gjatë gjithë vitit, ndaj kujdesi për natyrën mbetet i domosdoshëm.
Gazetar: M. Gjini
/rtsh.al/