E Martë, 3 Nëntor 2026

Apeli i la pa vulë, Alibeaj: Nuk i bashkohem grupit parlamentar të drejtuar nga Berisha

Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj ka reaguar këtë të enjte (20 qershor) mbi vendimin e Apelit për vulën e PD-së, duke lënë në fuqi vendimin e gjyqtarit Agron Zhukrit.

Alibeaj ka paralajmëruar në postimin në rrjetin social Facebook largimin nga grupi parlamentar demokrat.

“E duke pretenduar të mos jem pjesë e modelit të vjetër në politikë, duke u përpjekur të jem koherent me qëndrimet e deritanishme deklaroj se nuk i bashkohem grupit parlamentar të PD të drejtuar nga Sali Berisha. Kjo është zgjedhja ime në shenjë respekti ndaj vendimit të gjykatës, qëndrimit tim të deritanishëm, atyre që e mendojnë ndryshe nga unë, dhe ndjesisë së trishtë se një PD e tillë, kështu as nuk i shërben shqiptarëve që duan ndryshimin e as ata të japin dot besimin”, shkruan Alibeaj.

Deputeti shprehet se vendimi i Apelit shenjoi status quo-n e partisë. Alibeaj u shpreh se nuk beson te premtimi i Berishës se PD-ja e tij do të ketë demokraci të brendshme dhe respekt për mendimin ndryshe.

“Vendimi i Gjykatës së Apelit disa ditë më parë pra, shenjoi dhe status quo-n e kësaj partie. Parti që zyrtarisht i përket Sali Berishës dhe mënyrës së tij të drejtimit dhe të bërit politikë. Personalisht jam ndarë me këtë mënyrë shumë vite më parë dhe në çdo kohë jam përpjekur të dëshmoj se i përkas një soji tjetër politik. Nuk besoj tek premtimi i Sali Berishës se PD-ja e tij do të ketë demokraci të brendshme dhe respekt për mendimin ndryshe. Mbi të gjitha nuk gjykoj që ajo mund të jetë oferta politike që meritojnë shqiptarët. Si formë dhe mënyrë e të bërit politikë është model i dalë jashtë funksionit të betejës me Ramën. Dy modele të ngjashme, e simbiotike, nuk mund të përballen duke sjellë rezultate ndryshe nga ai që kemi”, deklaroi Alibeaj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›