E Martë, 3 Nëntor 2026

Kryebashkiaku Duro për RTSH: Synojmë turizëm 12 mujor në Devoll

Kryebashkiaku i Bashkisë Devoll, Eduard Duro në një intervistë për  “Mirëmëngjesi Shqipëri” ka nënvizuar disa prej sfidave të punës së tij dhe premtimeve të mbajtura e ende të papërmbushura të fushatës elektorale.

Duro u shpreh se në mandatin e tij të dytë në krye të Bashkisë Devoll, ka mundësuar furnizimin me ujë 24 orë në thuajse 95% të kësaj bashkie.

Po ashtu, Duro deklaroi se Muzeu i Dritëro Agollit është një prej premtimeve ende të parealizuara që sikurse theksoi ai “shpresoj që shumë shpejt ta realizojmë”.

Financat, nënvizoi Duro, krijojnë vështirëso për realizimin e të gjithë synimeve, duke e bërë kryebashkiakun të tërhiqet nga disa prej zhvillimeve të momentit

“Për çdo kryetar bashkie sfidat e veta kanë të bëjnë me mirëqeverisjen e komunitetit që drejton. Kemi projektet tona të cilat i kemi premtuar gjatë fushatës dhe duam t’i bëjmë realitet. S’ka kryetar bashkie që nuk do të realizoj premtimet e bëra gjatë fushatave elektorale.

Premtimet tona në mandatin e  dytë ishin të thjeshta dhe të pakta. Kemi filluar realizimin e dyte që në fillim të mandatit të dytë, në infrastrukturën e brendshme të fshatrave.

Fatmirësisht bashkia jonë është një bashki me infrastrukturë të mirë rrugore dhe hidrike. Me ndërhyrjet e  fundit pothuajse 95% e bashkisë Devoll furnizohet me 24 h ujë. Kemi dhe dy-tre fshatra dhe përfundojmë lidhjen e gjithë fshatrave me njësitë administrative me rrugë të asfaltuara dhe më pas është çështje e privatit për të zhvilluar fshatin ku jetojnë. kam disa premtime ende të parealizuara, muzeu i dritëro agullit që shpresojmë që shumë shpejt ta realizojmë.

Disa prej premtimeve, janë prej financave që të bëjnë të tërhiqesh nga disa zhvillime të momentit”, tha Duro.

Turizmi 12 mujor është një tjetër sfidë për kryebashkiakun Duro. Ky i fundit u shpreh se Devolli ofron vetëm natyrën, kulinarinë dhe infrastrukturën. Ai renditi dhe disa prej atraksioneve që vizitorët nuk duhet të lënë pa vizituar në Devoll.

“Devolli ka natyrën, njerëzit punëtor, kulinarinë e pasur dhe infrastrukturën. Këtu gjenden njerëzit e mirë, fruta-perimet bio, natyrën e bukur dhe vendet historike. Shpella e Trenit, vendbanimi njerëzor më i lashtë në Evropë. Liqeni i Prespës së vogël, atraksion turistik.

Devollin e Sipërm që po zhvillon turizmin e natyrës. Jemi munduar të krijojmë infrastrukturën e mundshme për zhvillimin e argotizmit. Në Devollin e sipërm në 4 vitet e para të qeverisjes sime kemi shtruar 32 km rrugë të asfaltuara në 5 fshatrat e Devollit të Sipërm.

Jemi pika hyrëse e Shqipërisë dhe kjo shpresojmë të na ndihmojë dhe shtyjë për të zhvilluar turizmin.

Duke bërë ndalesën e parë në Devoll duhet të hapim edhe ne mundësinë që ata të shlodhen. Stacioni turistik në Devoll do bëjë të mundur informacionin për të gjithë turistët apo vizitorët e devollit gjatë gjithë sezonit turistik. Shpresojmë që vizitorët në Devoll të jenë 12 mujor”, tha Duro.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›