Aplikacioni “Unë Dhuroj” për dhuruesit e gjakut, Ministria e Shëndetësisë: Informim i plotë dhe vlerësim i riskut për çdo dhurues

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka njoftuar se në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut po përfundon zhvillimi i aplikacionit të ri “Unë Dhuroj”, një platformë dedikuar dhuruesve të gjakut. Ky aplikacion do të ofrojë të dhëna të plota për pikat e dhurimit të gjakut në të gjithë Shqipërinë, grupet e gjakut dhe analizat e nevojshme, me qëllim mbështetjen e rritjes së dhurimit vullnetar.
Aplikacioni i ri ka për qëllim të ofrojë informacion të plotë dhe të lehtë për t’u aksesuar për të gjithë dhuruesit, duke u mundësuar atyre të gjejnë pikat e dhurimit të gjakut në të gjithë Shqipërinë dhe të marrin informacione të vlefshme lidhur me procesin e dhurimit dhe nevojat për gjak në vend.
Një nga risitë e aplikacionit është mundësia për të marrë një analizë metabolike dhe kardiovaskulare për dhuruesit, në bazë të të dhënave që ata ofrojnë. Më pas mjekët do të bëjnë një vlerësim të këtyre analizave dhe përgjigjet do të dërgohen me e-mail për të informuar dhuruesit për ndonjë mundësi rreziku të mundshëm gjatë dhurimit të gjakut.
Aplikacioni “Unë Dhuroj” synon gjithashtu të edukojë qytetarët mbi rëndësinë e dhurimit të gjakut dhe rëndësinë që ka ky akt për të shpëtuar jetë.
/rtsh.al/