E Premte, 6 Nëntor 2026

Aplikimet hapen më 10 nëntor”/ Qeveria miraton kompensimin për transportet

Shoqëritë që operojnë në transportin publik qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës do të përfitojnë kompensim financiar në masën 50 lekë për çdo litër karburant të konsumuar gjatë periudhës qershor-tetor 2026.

Vendimi është miratuar nga Këshilli i Ministrave, në kuadër të masave për përballimin e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve. Përfitimi do të llogaritet mbi bazën e konsumit të dokumentuar të karburantit, por me një kufi maksimal prej 110% të sasisë mesatare mujore të konsumuar nga secila shoqëri gjatë periudhës mars-maj 2026.

Për zbatimin e vendimit është parashikuar një fond prej rreth 209 milionë lekësh, i cili do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2026.

V E N D I M

PËR

PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE, TË DOKUMENTACIONIT DHE TË MASËS SË KOMPENSIMIT PËR SHOQËRITË E LINJAVE TË TRANSPORTIT QYTETËS, RRETHQYTETËS DHE NDËRQYTETËS NË KUSHTET E SITUATËS SË VEÇANTË NË TREGUN HIDROKARBUR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 14, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I.  TË PËRGJITHSHME

Kompensimin e shoqërive të transportit për linjat qytetëse, rrethqytetëse dhe ndërqytetëse, në masën 50 (pesëdhjetë) lekë për litër karburanti, për një periudhë pesëmujore, qershor, korrik, gusht, shtator, tetor 2026. Kompensimi bëhet për shumën e konsumimit të karburantit gjatë periudhës së kompensimit, por jo më shumë se 110% e sasisë mesatare mujore të karburantit të komsumuar gjatë periudhës mars-maj 2026, për secilën nga shoqëritë.

II. KRITERET DHE DOKUMENTACIONI PËR PËRFITIMIN E KOMPENSIMIT

1. Kërkesa për të përfituar kompensimin financiar, të përcaktuar në pikën 1, të kreut I, të këtij vendimi, bëhet nga subjekti vetëm një herë, pas përfundimit të periudhës së kompensimit, pranë administratës tatimore, nën juridisksionin e së cilës ai është regjistruar, e cila bën verifikimin e dokumentacionit të paraqitur.

2. Subjektet kërkuese duhet të paraqesin pranë administratës tatimore, nën juridiksionin e së cilës janë regjistruar, dokumentacionin e mëposhtëm:

a) Kërkesën, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;

b) Kopjen e licencës përkatëse, të vlefshme për transportin qyetetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës;

d)IBAN-in e llogarisë bankare (jo më shumë se 28) karaktere dhe në monedhën lekë;

dh) Për shoqëritë që kryejnë vetëm aktivitet të transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës, kopje të faturave fizike të furnizimit me karburant, për periudhat mars–maj 2026 dhe qershor–tetor 2026;

 e) Për shoqëritë, që, përveç aktivitetit të transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës, ushtrojnë edhe aktivitete të tjera, përveç kopjeve të faturave fizike të furnizimit me karburant, për periudhat mars–maj 2026 dhe qershor–tetor 2026, duhet të paraqesin edhe:

i. vetëdeklarim të sasisë së karburantit të përdorur për transportin qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës, shoqëruar me fatura të blerjes;

ii. kopje të fletëdaljeve të karburantit gjatë periudhave mars–maj 2026 dhe qershor–tetor 2026, të përdorur për transportin qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës, sipas targave të mjeteve.

3. Kërkesat nga subjektet paraqiten pas datës 10 (dhjetë) të muajit pasardhës, duke filluar nga muaji nëntor 2026.

4. Në rastin kur konstatohet se dokumentet e dorëzuara nga subjekti janë të paplota apo kanë mangësi, administriata tatimore, brenda 5 (pesë) ditëve punë, e kthen kërkesën me qëllim plotësimin e dokumentacionit.

5. Administrata tatimore pas verifikimit të dokumentacionit, të përcaktuar në pikën 2, të këtij kreu, dërgon pranë degës përkatëse të thesarit, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve punë, urdhërshpenzimet, duke bashkëlidhur listën përmbledhëse të subjekteve përfituese, sipas bankave të nivelit të dytë, ku përfituesit kanë llogarinë e tyre bankare.

6. Për shoqëritë që nuk kanë ushtruar aktivitet gjatë gjithë periudhës mars–maj 2026, si vlerë reference për kompensim merret sasia mesatare mujore e karburantit të konsumuar, që shërben si bazë referuese për përllogaritjen e kompensimit, përcaktohet duke pjesëtuar sasinë totale të karburantit të konsumuar dhe të dokumentuar gjatë muajve të plotë të ushtrimit të aktivitetit, brenda kësaj periudhe, me numrin e këtyre muajve.

Përllogaritja kryhet mbi bazën e dokumentacionit provues të paraqitur nga subjekti dhe të verifikuar nga administrata detare.

7. Me qëllim shmangien e abuzimit, strukturat e administratës tatimore mund të kryejnë edhe verifikime në vend, në rast konstatimi të pasaktësive në dokumentacionin e paraqitur në kërkesë.

8. Struktura e thesarit në degë, mbas marrjes së urdhërshpenzimit me listën e përfituesve, sipas pikës 5, të këtij kreu, kryen pagesën brenda 5 (pesë) ditëve punë.

III. ÇËSHTJE TË FUNDIT

1. Kërkesat për kompensim do të pranohen deri në datën 16 nëntor 2026.

2. Efektet financiare, prej 209 022 872 (dyqind e nëntë milionë e njëzet e dy mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e dy) lekësh, do të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, të miratuar për vitin 2026.

3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›