E Hënë, 2 Nëntor 2026

Apolonia tërheq vizitorë në fundjavë- Fluks i madh turistësh në parkun antik dhe natyror të Myzeqesë

Qyteti antik i Apolonisë në Fier, i njohur si “qyteti i Diellit”, po tërheq vizitorë vendas e te huaj, duke u bërë një nga destinacionet më të kërkuara të turizmit kulturor.

Ajo priti ne fundjave dhjetëra vizitorë vendas dhe të huaj. Parku arkeologjik gërsheton trashëgiminë antike me natyrën e veçantë dhe hapësirat e gjera mbi fushën e Myzeqesë.

Një nga udhërrëfyesit turistikë, Alfred Pepaj, thotë se Apolonia është shumë e kërkuar gjatë gjithë vitit.

Mes vizitorëve kishte studentë, studiues te ndryshëm dhe të pasionuar pas kulturës. Dy vajza nga Gjermania e cilësuan vendin mbresëlënës, ndërsa dy miq nga Kalabria e përshkruan Apoloninë si një zemër të gjallë të historisë:

 “Këto mbetje janë restauruar shumë, shumë mirë… sipas meje është zbuluar,  maksimumi vetëm dhjetë për qind. Gjithë pjesa tjetër mbetet ende e mbuluar. Ka ende gjëra të bukura për t’u zbuluar”, shprehet një turist.

“Shqipëria është në zemrën time. Është fantastike. Premtoj se do të rikthehem sërish këtu”, thekson një tjetër.

“Jam nga Gjermania. Gjendem këtu për një kohë të shkurtër, por realisht jam duke u kënaqur. Po e shijoj këtë vend, në të cilin po kaloj një kohë të mrekullueshme”, shprehet një turiste.

Parku është i vizitueshëm gjatë gjithë vitit, por këtë verë numri i turistëve u rrit falë përmirësimit të infrastrukturës rrugore që lidh by-pass-in e Fierit me zonën arkeologjike.

Gazetar: Marash Mirashi

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›