Arben Anamali u shpall “Dëshmor i Atdheut”, Vengu i dorëzon titullin familjes së kapitenit

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu i dorëzoi sot titullin “Dëshmor i Atdheut” familjes së kapitenit Arben Anamali, që humbi jetën disa ditë më parë teksa shpëtoi nga mbytja dy turistë të huaj në liqenin e Shkodrës.
Gjatë vizitës në familjen Anamali, ministri Vengu u shoqërua nga kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci dhe prefektja Majlinda Angoni.
“Nderuam kujtimin e profesionistit të përkushtuar, mikut të dashur dhe prindit shembullor, që me aktin e tij fisnik u bashkua me heronjtë e pavdekshëm të Kombit. Sakrifica e Arbenit nuk është vetëm një shembull guximi, por një dëshmi e gjallë e shpirtit shqiptar që vendos jetën e tjetrit mbi të vetën prandaj nga sot ai rreshtohet mes “Dëshmorëve të Atdheut””, tha Vengu në një postim në rrjetet sociale.
Kapiteni i një anijeje turistike në liqenin e Shkodrës, Arben Anamali u mbyt më 8 korrik gjatë përpjekjes për të shpëtuar dy turistë që kishin rënë në ujë. Trupi i pajetë i kapiten Anamalit u gjet më 10 korrik në liqenin e Shkodrës.
Kapiteni Arben Anamali u shpall “Dëshmor i Atdheut”.
1 nga 3/k.s//a.f//r.e/