E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hajdari: Të gjitha trupat e inspektimit do të bëhen autonome

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Kryeinspektori i Përgjithshëm, Shkëlqim Hajdari, në një intervistë televizive sot, foli për punën njëvjeçare për reformimin e inspektorateve.

“Tre bëhen inspektorate të mëdha. AKU, që është sot, bashkohet me pjesën e inspektimit të Autoriteti Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, të peshkimit dhe bëhet një inspektorat, pra ulet numri i inspektimeve, do të shkohet në biznese dhe i kontrollohen të katër fushat që kontrolloheshin nga inspektorët”, tha Hajdari.

Hajdari bëri të ditur se “IKMT bëhet një inspektorat i madh dhe ka brenda vetes mbrojtjen e territorit, pyjet, ujërat, mjedisin dhe trashëgiminë kulturore. Inspektorati i Shëndetësisë do të bashkohet pjesërisht me inspektimin e barnave dhe rrezatimeve”.

Kryeinspektori Hajdari tha se ka marrë fund koha kur institucionet, që duhet të garantojnë siguri ushqimore, drejtoheshin nga juristë apo elektriçistë.

“Nëpër inspektoratet shqiptare nuk do të ketë më njerëz që arsimin nuk e lidhin me inspektimin. Pra do të ketë inxhinierë: inxhinier mjedisi, inxhinier ushqimi, inxhinier pyjesh dhe arkitektë”, tha Hajdari.

“Reforma e nivelit europian që është pjesë e integrimit të Shqipërisë është meritë e Kryeministrit Edi Rama, i cili ka dalë mbi të gjitha mendësitë e opinionit shqiptar. Të gjitha trupat e inspektimit do t’i bëjmë autonome”, tha Hajdari.

/k.s//r.e//a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›