E Diel, 1 Nëntor 2026

Ardian Nuhiu largohet nga drejtimi i Tiranës, rikthehet Shehi

TIRANË, 23 shkurt /ATSH/ Ardian Nuhiu nuk është më trajneri i Tiranës.

Klubi i Futbollit Tirana njofton se bashkëpunimi me trajnerin Ardian Nuhiu është ndërprerë në mënyrë konsensuale.

KF Tirana shpreh falënderimet më të sinqerta për trajnerin Ardian Nuhiu për kontributin, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë drejtimit të skuadrës kryeqytetase.

“Gjatë bashkëpunimit, ai ka dhënë maksimumin për ngjyrat bardheblu, duke punuar me pasion, korrektësi dhe respekt për klubin dhe tifozët tanë”, thuhet në njoftimin e klubit Tirana.

Klubi i uron suksese në karrierën e tij profesionale.

Ndërkohë mësohet se trajneri i ri do të jetë durrsaku Orges Shehi.

Klubi i Futbollit Tirana njoftoi sot rikthimin e Orges Shehit në krye të pankinës bardheblu.

“Trajneri që na udhëhoqi drejt një titulli kampion dhe trofeve të tjerë kombëtarë rikthehet për të drejtuar skuadrën deri në fund të këtij sezoni, me të njëjtin pasion, ambicie dhe mentalitet fitues”, njofton klubi bardheblu.

Ai e ka drejtuar edhe më parë skuadrën e Tiranës, nga janari 2021 deri në tetor 2023, duke drejtuar 120 ndeshje zyrtare. Me Shehin në pankinë Tirana ka fituar titullin kampion dhe Superkupën e Shqipërisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›