Berisha: 20 shkurti ishte dita e triumfit të qytetarëve

TIRANË, 23 shkurt /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha mori pjesë sot në “Foltoren e PD – Kuvendi i qytetarëve dhe deputetëve”, ku vlerësoi pjesëmarrjen e qytetarëve në tubimin e 20 shkurtit 2026 dhe theksoi rëndësinë e mobilizimit qytetar për mbrojtjen e vlerave demokratike.
“Misionarë të pamposhtur të qëndresës ndaj një regjimi që vjedh, varfëron, poshtëron, përzë nga Shqipëria çdo orë, çdo ditë, qytetarët e këtij vendi. Nuk ka vendim më fisnik, nuk ka ideal më të lartë sesa beteja kundër këtij regjimi, kundër kësaj të keqeje që ka ngërthyer trupin e Shqipërisë”, iu drejtua Berisha qytetarëve.
Berisha theksoi se, “dhjetëra-mijëra protestues shndërruan 20 shkurtin e vitit 2026 në kryengritjen paqësore më të fuqishme që ka njohur Shqipëria pas 20 shkurtit të vitit 1991”.
“20 shkurti 2026 ishte dita e triumfit tuaj. Ishte dita e triumfit të idealeve demokratike. Dita e triumfit të guximit qytetar. Dita e triumfit të përgjegjësisë të qytetarëve shqiptarë ndaj vendit të tyre, ndaj kombit të tyre. Ishte dita në të cilën Tirana e tërë ishte në duart e qytetarëve”, tha Berisha.
Kryetari i PD foli edhe për situatën në infrastrukturë dhe shëndetësi, duke thënë se, “ajo që shohim me rrugët që shemben, që ndodhin çdo ditë, është e njëjtë edhe në shëndetësi. Janë jetë njerëzish që preken nga mungesa e ilaçeve efektive dhe shërbimeve të pamjaftueshme. Shpenzimet për shëndetësinë janë rritur dhe qytetarët paguajnë më shumë nga xhepi sesa më parë”.
Berisha përmendi edhe situatën në shkolla, duke theksuar se “25 mijë kompjuterat që kishim lënë në të gjitha shkollat e vendit janë zhdukur, ndërsa kompjuterat e rinj shiten me çmime shumë më të larta se ato në tregjet europiane”.
Ai përfundoi fjalimin duke nënvizuar rolin e qytetarëve në ruajtjen e dinjitetit dhe mbrojtjen e Shqipërisë.
“Me kryengritjen tonë ne mbrojtëm nderin e Shqipërisë, mbrojtëm dinjitetin e shqiptarëve. Shqiptarët që mbushën rrugët dhe sheshet janë ata që do të sigurojnë ndryshimin”, tha Berisha.
Berisha gjithashtu ftoi qytetarët për protestën e radhës, e cila do të mbahet të shtunën në orën 18:00.
/gj.m/r.e/