Ardit Bido: Në fund të këtij mandati, mbyllen problematikat me pronat në Shqipëri

Në seancën e sotme plenare, deputeti i Partisë Socialiste Ardit Bido deklaroi se qeveria do të përmbyllë të gjitha problematikat e pronave në vend deri në fund të këtij mandati.
“Revolucioni digjital i dy viteve të fundit, që ka mundësuar digjitalizimin e plotë të arkivës së Kadastrës dhe njëherazi do të mundësojë përmbylljen e azhornimit të të gjitha zonave kadastrale të Republikës së Shqipërisë vitin e ardhshëm, është ndoshta ndryshimi më i madh në lidhje me problematikën e pronave në Shqipëri,” tha Bido.
Ai theksoi se puna e bërë gjatë dy viteve të fundit ka hapur rrugën për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pronësisë:
“Që në fund të këtij mandati qeverisës, Shqipëria do mund të zgjidhë të gjitha problemat e pronave duke i dhënë certifikatën e pronësisë për tokën banorëve të të gjithë Republikës së Shqipërisë.”
Deputeti socialist shtoi se procesi i azhornimit të zonave kadastrale është drejt përfundimit, duke përmendur konkretisht bashkinë e Delvinës:
“Të gjitha zonat kadastrale që kanë nevojë për azhornim, veçanërisht në bashkinë e Delvinës, ku kanë mbetur pesë zona kadastrale, do marrin zgjidhje vitin e ardhshëm.”
/rtsh.al/