E Diel, 1 Nëntor 2026

Ardit Bido reagon për ndalimin e gazetarit Artan Hoxha në kufirin shqiptaro-grek

Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, ka reaguar pas ndalimit të gazetarit Artan Hoxha në kufirin shqiptaro-grek, duke e cilësuar këtë veprim si një shkelje të rëndë të vlerave evropiane.

Bido theksoi se është e papranueshme që në shekullin e 21-të autoritetet e një shteti evropian të vijojnë të ndikohen nga nacionalizmi.

Ai e konsideroi shpalljen “non grata” të gazetarëve shqiptarë si një formë abuzimi me parimet që përfaqëson Bashkimi Evropian.

Në reagimin e tij, Bido u shpreh, “Ndalimi i Artan Hoxhës në kufirin shqiptaro-grek përbën rastin e dytë në pak vite që gazetarët shqiptarë ndalohen në kufi për shkak të raportimit dhe të bindjeve të tyre. Është e papranueshme që në shekullin e 21-të, autoritetet e një shteti evropian të vijojnë të ndikohen nga grahmat e fundit të nacionalizmit. Kërkimi i të drejtave të shqiptarëve të Çamërisë, përballja me nacionalizmin politik të fenomeneve Agimi i Artë, Beleri etj., si dhe mbrojtja e të drejtave kombëtare të shqiptarëve, nuk janë opsion, por detyrim i çdo gazetari dhe i çdo shqiptari. Ndaj, sulmi ndaj tyre, përmes shpalljes “non grata” përbën abuzimin më të madh me vlerat evropiane.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›