E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministrja Ibrahimaj prezanton buxhetin: 1.7 mld lekë në total për pensionistët

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, së bashku me drejtuesen politike të Qarkut Tiranë, Ogerta Manastirliu, drejtuesit e Bashkisë së Tiranës dhe deputetët e zonës, prezantuan buxhetin e qytetarëve për Tiranën dhe vizionin “Shqipëria 2030” gjatë një konsultimi publik me banorët e Kasharit dhe Njësinë 11 në Kryeqytet.

Gjatë dëgjesës publike për buxhetin e qytetarëve për Tiranën dhe vizionin “Shqipëria 2030”, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, theksoi se buxheti i vitit 2026 është konceptuar për të nxitur ekonominë dhe për të dhënë më shumë mbështetje për familjet shqiptare përmes shpërndarjes së të ardhurave.

Në fjalën e saj, Ibrahimaj theksoi se buxheti i vitit 2026 synon nxitjen e ekonomisë dhe mbështetjen e familjeve shqiptare përmes shpërndarjes së të ardhurave.

“Për herë të parë jemi shumë krenarë që me këtë buxhet kemi një vëmendje ndaj mirëqenies dhe ndaj të ardhurave. Vëmendja në buxhetin e vitit 2026 për pensionistët do të jetë krejt ndryshe. Dëshira jonë ka qenë e madhe që të bënim një hap cilësor në të ardhurat e pensionistëve, por vetëm tani na është krijuar mundësia për shkak të të ardhurave të shtuara, rritjes ekonomike, që të mund të bëjmë diçka të konsiderueshme për të gjithë ata të moshuar që kanë punuar gjithë jetën dhe meritojnë të kenë të ardhura më të denja”, tha Ibrahimaj.

Sipas saj, në buxhetin e vitit 2026, por edhe në atë të vitit 2027 dhe 2028, janë parashikuar respektivisht 10 miliardë, 20 miliardë dhe 30 miliardë lekë për mbështetje sociale. Ministrja deklaroi se bonusi i fundvitit do të jepet sërish, i barabartë me bonusin e vitit të kaluar, ndërsa 1.7 miliard euro do të jenë në dispozicion të pensionistëve në total, për bonuse dhe indeksim.

“Çdo muaj, nga muaji janar, çdo pensionist do të marrë një bonus shtesë bashkë me pensionin. Duke filluar nga pensioni urban i plotë, i cili sot mesatarisht është 27 mijë lekë, deri në 2030 do të shkojë 40 mijë lekë. Çdo pensionist që ka vitet e plota do të marrë një shtesë prej 1800 lekë në muaj dhe kjo është pavarësisht indeksimit që është një procedurë që do të jetë atje gjithmonë”, vijoi Ibrahimaj.

Ajo shtoi se pensionet e pjesshme urbane do të kenë një rritje prej 8000 lekë të vjetra në muaj, pensionet rurale një rritje prej 10 mijë lekë, pensionet familjare 7 mijë lekë dhe pensionet e invaliditetit 6 mijë lekë. Këto shifra do të dyfishohen në vitin 2027 dhe do të trefishohen në vitin 2028, duke arritur deri në 40 mijë lekë për pensionin urban, 22 mijë lekë për pensionin e pjesshëm, 18 mijë lekë për pensionin rural, 18 mijë për pensionin familjar dhe 30 mijë për pensionin e invaliditetit.

Ibrahimaj nënvizoi gjithashtu se pensionistët me pension më të vogël se 200 mijë lekë të vjetra do të marrin 150 mijë lekë bonus, ndërsa ata me pension më të madh se 200 mijë lekë do të marrin 100 mijë lekë bonus.

Sa i përket pagave, ajo tha se, “Sot, paga mesatare në administratën publike është 1 milion lekë dhe falë gjithë kësaj reforme paga u rrit dhe do të rritet përsëri, nga 35% në 60%. Përveç rritjes çdo dy vite do bëjmë indeksim të pagave. Në buxhetin 2026 kemi parashikuar indeksim të pagave me 2,5% dhe një rritje të diferencuar për disa kategori që i kanë më të ulta, si specialistët, ushtarakët, policët, sistemi shëndetësor, që për herë të parë këtë vit jo vetëm rritje dhe indeksim, por do njihen edhe vitet e punës”.

Ndërkohë, Ogerta Manastirliu prezantoi projektet e reja për Tiranën, duke vënë theksin tek investimet në Njësinë 11 dhe Kashar, si dhe programin e ushqimit në shkolla që do të nisë pilotimin vitin e ardhshëm.

“Ky është një program shumë i kërkuar nga familjet, sidomos për fëmijët nga klasa e parë deri në klasën e pestë. Prindërit duhet të ndihen të sigurt dhe fëmijëve t’u ofrohet një vakt ushqimor cilësor. Ky është një zotim i qeverisë shqiptare dhe tashmë është i parashikuar në buxhetin e Ministrisë së Arsimit”, u shpreh Manastirliu.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›