Arion Sulo: Protestat shpëtuan demokracinë dhe gjallëruan jetën politike shqiptare

Analisti Arion Sulo, i ftuar në studion e emisionit “Trialog” të moderuar nga gazetarja Alba Alishani, ka komentuar protestat e ditëve të fundit në Shqipëri, duke i cilësuar si një moment të pazakontë dhe vendimtar për jetën politike në vend.
Sulo tha se protestat që po zhvillohen së fundmi në Shqipëri, dhe jo vetëm, përfaqësojnë një pikë kthese , duke shtuar se ,“Është një manifestim i pandodhur me dekada, në 35 dekada. Protesta shpëtoi demokracinë shqiptare nga koma ku kishte rënë.”
Ai shtoi se atmosfera politike para protestave ishte e paralizuar.
“Ne kemi dy javë që kemi harruar se si ka qenë situata para dy javësh. Sheshi u kthye në një laborator demokracie. Para dy javësh u zgjodh për të disatën herë kryetari i PD-së, pa garë dhe me akuza për procesin nga të dy anët brenda PD-së. Pas 13 vitesh në opozitë, PD nuk bëri lajm dhe askush nuk bëri një raportim normal. Pra, ne ishim në një koma politike për çfarë po zhvillohej politikisht në Shqipëri.”
Sipas tij, protestat e fundit treguan se qytetarët mund të rikthejnë energjinë e demokracisë dhe se sheshi publik është ende një hapësirë e fuqishme për shprehjen e vullnetit politik.
/rtsh.al/