E Diel, 1 Nëntor 2026

Arka misterioze me euro në vilën e ‘Ballukut’ në Dhërmi

Balluku me tren nga Zyrihu në Bernë dhe jo me këmbë nga rruga ‘Abdi Toptani’ tek rruga ‘Jordan Misja’

Qindra komunikime telefonike të vartësve dhe bashkëpunëtorëve të Belinda Ballukut, të regjistruara përgjatë viteve 2018-2025, janë përdorur nga Prokuroria e Posaçme si prova për të argumentuar se vila dykatëshe në kompleksin turistik “White Rocks”, në Dhërmi, është në pronësi faktike të ish-zëvendëskryeministres, megjithëse në dokumente rezulton në emër të ish-futbollistit Igli Tare.

Bëhet fjalë për vilën tip “Begonia”, me sipërfaqe 103 metra katrorë dhe të rrethuar nga një parcelë toke prej të paktën 300 metrash katrorë. Sipas SPAK, prona ka një vlerë aktuale prej 720 mijë eurosh. Prokuroria pretendon se Balluku e ka përdorur vilën që prej qershorit 2019 dhe deri të paktën në shkurt-mars 2026, periudhë gjatë së cilës është lokalizuar edhe telefoni i saj në këtë zonë. Vila u sekuestrua me vendim gjykate rreth tre muaj më vonë.

Në dokumentet e SPAK, të lexuara nga Report Tv, përmenden dhjetëra faqe komunikimesh dhe të dhënash që, sipas prokurorëve, provojnë se godina me kodin “F6” në kompleksin “White Rocks” përdorej nga Balluku. Ish-vartësit e saj, shoferi personal, punonjësit e pastrimit në banesën e saj në Tiranë, administratorët e kompleksit dhe familjarë të tyre i referoheshin pronës si “vila e shefes”.

Prokuroria ka administruar gjithashtu të dhëna mbi arredimin dhe investimet në vilë, të cilat, sipas saj, janë kryer në përputhje me preferencat e Ballukut. Në ambientet e godinës janë gjetur edhe fotografi dhe prova të tjera që, sipas SPAK, dëshmojnë përdorimin e vazhdueshëm të saj nga ish-zëvendëskryeministrja. Të dhënat e qelizave telefonike tregojnë se telefoni i saj është lokalizuar në këtë zonë për disa ditë çdo muaj, përgjatë disa viteve.

Sponsorizuar

Një tjetër element që përmendet në dosje lidhet me një fotografi të dërguar mëngjesin e 17 korrikut 2021 nga Lavdrim Smone, bashkëshorti i sanitare­s që punonte në banesën e Ballukut në Tiranë. Në fotografi shfaqet një kuti e kuqe, brenda së cilës ndodhen tufa me kartëmonedha 50-euroshe të lidhura me llastik. Sipas përshkrimit të SPAK në dokument, kutia duket se ndodhet në ambientet e vilës F6, në kompleksin “White Rocks”.

Nga komunikimet e administruara rezulton se Lavdrim Smone, bashkë me bashkëshorten dhe vajzën e tij, shkonte herë pas here në vilën në Dhërmi për të kryer pastrimet. Transporti i tyre drejt pronës, sipas dosjes, bëhej shpesh nga shoferi personal i ish-zëvendëskryeministres.

Në dosjen që lidhet me Belinda Ballukun janë 31 të pandehur, mes tyre edhe pesë ndërtues dhe dy kompani private. Report Tv ka mësuar se SPAK ka marrë të pandehur ndërtuesit Arbër Abazi, Pandeli Carapuli, Paqsor Buzi, Artan Sako dhe Ram Geci.

Mbi dhjetë persona përballen me akuza që lidhen me tenderin për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë. Përveç shkeljes së barazisë në tendera, në dosje janë ngritur edhe akuza për shpërdorim detyre. Mes të pandehurve për këtë çështje është edhe Viola Haxhiademi, ish-sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.a.b

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›