E Diel, 1 Nëntor 2026

Belind Këlliçi: Korrupsioni i Ramës, vila luksoze dhe kuti të mbushura me euro

Këlliçi: Dy javë nga akuzat ndaj Ramës, SPAK duhet të nisë hetimet

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar pas publikimit të detajeve nga dosja e SPAK për vilën në kompleksin turistik “White Rocks” në Dhërmi, e cila dyshohet se përdorej nga ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.

Në një postim, Këlliçi e lidh rastin e vilës në Dhërmi me hetimet për AKSHI-n, duke pretenduar se korrupsioni i kryeministrit Edi Rama dhe bashkëpunëtorëve të tij shfaqet përmes vilave luksoze dhe kutive të mbushura me para.

“Korrupsioni i Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij më të afërt është aq i madh, sa në çdo rast gjendet një kuti e madhe plot me euro”, shkruan Këlliçi.

Ai i referohet rastit të Mirlinda Karçanajt, të cilën e quan “Linda e AKSH-it”, duke kujtuar pretendimet e SPAK se ryshfetet merreshin në një arkë vere të mbushur me euro.

Ndërsa për dosjen Balluku, Këlliçi përmend një kuti kartoni me kartëmonedha euro, e cila, sipas hetimeve të raportuara në media, është fotografuar në vilën në Dhërmi nga sanitarja e ish-zëvendëskryeministres.

Sponsorizuar

“Këtë formë brutale dhe banale ka korrupsioni i Edi Ramës. Me vila luksoze dhe me kuti plot me euro, para e pasuri të bëra nga taksat e qytetarëve më të varfër të Europës”, vijon ai.

Në reagimin e tij, nënkryetari i PD-së akuzon kryeministrin Rama se, pavarësisht aferave dhe skandaleve, vijon të mbrojë korrupsionin dhe të qëndrojë në pushtet.

“Dhe kreu i organizatës, i kapur në flagrancë në disa afera e skandale, vijon të mbrojë korrupsionin e të mbajë me forcë karrigen. Po fundi i tij është i pashmangshëm dhe shumë i shpejtë”, përfundon Këlliçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›