E Diel, 1 Nëntor 2026

Arkiva e Radio Televizionit Shqiptar tani më pranë publikut, hapet në YouTube kanali “RTSH Arkiv”

Radio Televizioni Shqiptar ka hapur kanalin e ri zyrtar në Youtube, “RTSH Arkiv”, një hap i rëndësishëm për të sjellë më pranë publikut shqiptar pasurinë e jashtëzakonshme të arkivit audioviziv.

Në këtë kanal në Youtube do të transmetohen vazhdimisht filma shqiptarë, telekomedi, skeçe humoristike, spektakle, dokumentarë dhe emisione historike, të cilat për dekada kanë qenë pjesë e memories artistike dhe kulturore të vendit.

“Përmes këtij kanali të dedikuar në Youtube, Radio Televizioni Shqiptar vendos t’u ofrojë qytetarëve shqiptarë falas arkivën historike të RTSH-së, duke përmbushur edhe emisionin që ka një transmetues publik”, deklaroi Valdi Gjini, Drejtor i Departamentit të Komunikimit në Web dhe Rrjete Sociale, RTSH.

Përmes kanalit RTSH Arkiv në Youtube, publiku do të ketë mundësinë të zbulojë materiale të rralla që nuk janë transmetuar prej kohësh.

“Në RTSH Arkiv në Youtube do të publikohen periodikisht prodhime të zhanreve të ndryshëm që janë pjesë e Arkivit të Radio Televizionit Shqiptar, që nga spektaklet, telekomeditë, emisione historike, dokumentarë e shumë produksione të tjera. Publiku mjafton të bëjë vetëm subscribe në RTSH Arkiv në Youtube për të ndjekur thesarin e fshehur të RTSH, të cilin tashmë institucioni ynë ka vendosur ta ofrojë për qytetarët”, theksoi më tej Valdi Gjini, Drejtor i Komunikimit në Ueb dhe Rrjete Sociale, RTSH.

Ky projekt synon dixhitalizimin, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë audiovizive shqiptare, duke e bërë të hapur për publikun kudo në botë përmes platformës së Youtube.

RTSH Arkiv është tashmë i disponueshëm në Youtube dhe do të pasurohet vazhdimisht me materiale të reja nga arkiva e Radio Televizionit Shqiptar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›