E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestime për vrasjen në Vlorë, Eris Mehmeti akuzohet se ndihmoi autorin e ekzekutimit të rojes 58-vjeçar

Personi  që shihni në këto pamje është autori i dyshuar i vrasjes së rojes 58-vjeçar në Vlorë mëngjesin e së dielës.Ai është fiksuar nga një kamer sigurie, duke kaluar në vendin e ngjarjes me kokën mbuluar me një kapele dhe me fytyrën fshehur pas një maske të zezë, për të mos zbuluar identitetin e tij.

Pamje të tjera të kamerave të sigurisë treguan se ai kishte zbritur nga kodra pas banesës së 58-vjeçarit Renato Hoxhaj, ka qëlluar 4 herë në drejtim të tij dhe më pas është larguar po nga e njëjta rrugë pranë Kuzumbabasë.

Ndërkohë dje në mbrëmje në Tiranë është arrestuar i riu Eris Mehmetaj, i cili dyshohet si bashkëpunëtor në krimin e rëndë. Hetuesit fillimisht identifikuan makinën me të cilën kishte lëvizur autori i dyshuar dhe më pas rezultoi se këtë automjet, Mehmetaj ia kishte dorëzuar autorit para krimit, ndërsa makinës i ishin ndërruar targat.Eris Mehmetit iu sekuestrua edhe një celular që pritet të zbardhë të dhëna të tjera për vrasjen e Renato Hoxhajt në Vlorë. Gjithashtu rezulton se Mehmetaj merrej me shitje pronash dhe njihet si mik i Rohan Brahimit, i ekzekutuar një vit më parë në Greqi.

Për sa i përket faktit se kush qëndron pas vrasjes së 58-vjeçarit Renato Hoxhaj, policia dyshon se ekzekutimi i tij është porositur nga një grup kriminal shqiptar me bazë në Dubai.

Gjithashtu një nga pistat që po hetohet, por ende e pakonfirmuar është se 58 vjeçari shërbente si informator i një grupi kriminal, në kohën kur u ekzekutua Gëzim Sinomataj, një vit më parë në Vorë.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›