Arrestimi i të rinjve shqiptarë në Beograd, Berisha: Të lirohen urgjentisht, përndryshe do protestojmë para ambasadës serbe

TIRANË, 25 mars /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha dënoi sot arrestimin e katër të rinjve shqiptarë në Beograd dhe kërkoi lirimin e tyre të menjëhershëm.
Në një konferencë për shtyp, Berisha u shpreh se, të rinjtë janë arrestuar për shkak të postimeve në rrjetet sociale që përfshinin flamurin shqiptar me portretet e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit.
“Së pari, dua të dënoj me forcën më të madhe arrestimin e katër të rinjve shqiptarë në Beograd me urdhër të Aleksandër Vuçiç, kreut të organizatës kriminale të Beogradit. Të rinjtë shqiptarë janë arrestuar për fajin e vetëm se njëri prej tyre ka postuar në Facebook apo Instagram një flamur shqiptar me portretet e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit”, tha Berisha.
Berisha e bëri thirrje për reagim ndërkombëtar. “Ky akt i shëmtuar e barazon Aleksandër Vuçiçin me Kim Jong Un-in, me ajatollahët e Teheranit dhe tregon një racizëm të papërmbajtur dhe urrejtje ndaj shqiptarëve”, tha Berisha.
“Dënoj me forcën më të madhe këtë akt të shëmtuar, të pashembullt dhe kërkoj lirimin e menjëhershëm të të rinjve shqiptarë. Sikundër, i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të dënojë me forcë këtë akt që tejkalon të gjitha limitet, që mund të ndodhë vetëm në diktaturat më të zeza”, theksoi kryetari i PD.
Berisha dënoi gjithashtu atë që e cilësoi si heshtje të kryeministrit Edi Rama për këtë rast.
Berisha kërkoi lirimin urgjent të të rinjve, përndryshe, theksoi ai, “opozita do marrë hapat e veta të protestave të fuqishme para përfaqësisë së Beogradit në Tiranë”.
/gj.m/a.f/r.e/