Arrestohen 4 administratorë farmacie për kontrabandë ilaçesh në Fier, sekuestrohen medikamente me vlerë 800 000 lekë

Finalizohet me sukses një operacion policor disamujor i koduar “Medicine”, zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.
Si rezultat i këtij operacioni, janë arrestuar në flagrancë 4 shtetas, administratorë farmacish, të cilët akuzohen për tregtim të ilaçeve të kontrabanduara. Po ashtu, është proceduar në gjendje të lirë një shtetase tjetër e përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.
Të arrestuarit janë:
Sh. Y., 65 vjeç
A. Xh., 59 vjeçe
P. B., 36 vjeçe
T. P., 35 vjeçe
Ndërsa është proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasja T. A., 53 vjeçe.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në farmacitë dhe banesat e tyre, u gjetën dhe sekuestruan një sasi e konsiderueshme ilaçesh të kontrabanduara, të cilat nuk kishin pullën fiskale të Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore. Vlera totale e medikamenteve të sekuestruara arrin rreth 800 000 lekë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërkohë që hetimet vijojnë për të zbardhur tërësisht këtë veprimtari kriminale.