E Diel, 1 Nëntor 2026

“Dumani më tregoi ekzekutorët e familjarëve të mi”, rrëfehet Erion Alibej: Unë vendos dorën në Kuran, nuk e fal gjakun e vëllait tim

Në shqyrtimin e dosjes “Plumbi i Artë”, Gjykata e Posaçme nisi të dëgjojë dëshminë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Erion Alibej.

Erion Alibej, tregoi për herë të parë me detaje momentin kur nisi rruga e hakmarrjes për vrasjen e familjarëve të tij, duke zbuluar takimin me Nuredin Dumanin dhe planet për atentate të paguara.

Alibej e nisi dëshminë e tij me datën 29 dhjetor 2018, një ngjarje që e përshkroi si një atentat “kamikaz” ndaj familjes së tij. Sipas tij, pikërisht pas kësaj ngjarjeje nisi kërkimi për autorët dhe urdhëruesit e krimeve që i morën jetën njerëzve më të afërt.

“Pas lirimit nga burgu i Elbasanit, takova Arjan Spahiun dhe i thashë se doja të takoja Nuredin Dumanin. E kisha dëgjuar se kishte dijeni për njerëzit që ishin përfshirë në vrasjen e familjarëve të mi. I ofrova 100 mijë euro për vrasjen e Talo Çelës, dhe 200 mijë nëse ma sillte të gjallë”, deklaroi Alibej.

Ai shpjegoi se takimi me Dumanin zgjati afro tre orë dhe u zhvillua në banesën e kushërinjve të tij. E gjithë biseda, sipas tij, ishte incizuar.

“I dhashë të gjitha informacionet që kisha për atentatet. I tregova edhe foton e vëllait të tij, Dashnor Dumanit, për të cilin më rezultonte se kishte kryer një nga atentatet, ndërsa Talo Çela ishte shoferi. Nuredini më tha se nuk besonte se ishte vëllai i tij, madje më tregoi se kishte probleme me të.”

Në një moment të ngarkuar emocionalisht, Alibej u shpreh për betimin që kishte bërë për të mos falur kurrë gjakun e të vëllait, Klevi Baho, dhe të afërmve të tjerë të vrarë.

“I thashë Dumanit: ‘Qëndro besnik. Unë vendos dorën në Kuran që nuk e fal gjakun e vëllait tim’. E kam humbur për jetë njeriun tim, dhe kjo s’më le të jetoj i qetë.”

Dëshmia e Alibejt vjen në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për dosjen “Plumbi i Artë”, ku ai akuzohet për përfshirje në një seri vrasjesh me pagesë.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›