Arrestohen 4 punonjës policie dhe një shtetas në Kapshticë

TIRANË, 8 qershor /ATSH/ Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, ka arrestuar në flagrancë katër punonjës policie dhe një shtetas të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”.
Sipas AMP të arrestuarit janë: N/Komisar Y. D., me detyrë përgjegjës turni në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë; Inspektor F. B., me detyrë Specialist/Kontrollor në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë; Inspektor L. H., me detyrë Trupë Shërbimi në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë; inspektor D. M., me detyrë Trupë Shërbimi/Kontrollor në dalje të Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë, i cili dyshohet edhe për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe mbajtja e armëve shpërthyese dhe municioneve” dhe shtetasin V. B., banues në Vërdovë (Pogradec).
AMP njofton se, në vijim të hetimeve dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative u arrit të dokumentohej me prova shpërdorimi i detyrës nga ana e punonjësve të policisë, të cilët me mosveprime dhe në shkelje të ligjit nuk kanë ushtruar kontroll ndaj mjetit me drejtues shtetasin V. B., ku ishte e fshehur një sasi e dyshuar lëndë narkotike “Heroinë”.
“Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 6 kg e 134 gr lëndë narkotike e dyshuar “Heroinë”, 5 aparate celularë, 256 fishekë (pistoletë model TT), 20 fishekë armë gjahu model 12 dhe një automjet.
Materialet proceduriale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë”, thuhet në njoftimin e AMP-së.