E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohen katër organizatorë të një call center në Tiranë, dyshohet se kryenin mashtrim kompjuterik

TIRANË, 11 qershor /ATSH/ Policia e Tiranës njoftoi se ka goditur një call center në bulevardin “Gjergj Fishta”, ku dyshohet se kryhej veprimtari e mashtrimit kompjuterik.

Sipas policisë, gjatë operacionit të koduar “Hold on” u arrestuan në flagrancë katër organizatorë dhe drejtues të kësaj veprimtarie, ndërsa u proceduan penalisht 49 punonjës, të cilët u kapën në flagrancë në ambientet e këtij call center-i.

Gjatë operacionit u sekuestruan 107 pajisje, nëpërmjet të cilave dyshohet se kryhej mashtrimi, si dhe materiale të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.

“Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se në katin e dytë të një objekti në bulevardin ‘Gjergj Fishta’ funksiononte një call center ku kryhej mashtrim kompjuterik, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike të DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë, finalizuan operacionin e koduar ‘Hold on’”, thuhet në njoftimin e Policisë.

“Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit E. K., 28 vjeç, A. J., 21 vjeç, E. D., 21 vjeç dhe M. M., 19 vjeç, të cilët dyshohet se administronin këtë veprimtari dhe/ose drejtonin grupet e punonjësve. Gjithashtu, në ambientet e objektit, u kapën në flagrancë gjatë punës 49 shtetas, për të cilët nisi procedimi në gjendje të lirë.

Me cilësinë e provës materiale u sekuestruan nga ambienti, i përshtatur me dhjetëra poste pune, 94 kompjutera, 11 telefona celularë, 2 iPad dhe materiale të tjera me interes hetimor”, përfundon njoftimi i Policisë së Tiranës.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›