E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet 40-vjeçari në Tepelenë, u vuri flakën 5 staneve, bagëtive dhe pyjeve

Një 40-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tepelenës pasi shkaktoi një zjarr masiv në një tokë të marrë me qira, me pasojë djegien e 5 stanëve, 3 krerëve bagëti, pemëve frutore dhe sipërfaqeve pyjore në zonën mes fshatrave Kodër dhe Lekël.

I dyshuari, me inicialet E. M., banues në fshatin Kodër, u identifikua dhe u arrestua menjëherë pas ndërhyrjes së shpejtë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Tepelenë, në bashkëpunim me DVP Gjirokastër dhe shërbimet zjarrfikëse.

Zjarri, që dyshohet se u ndez në një tokë të marrë me qira nga 40-vjeçari, mori përmasa të mëdha dhe dëmtoi rëndë mjedisin pyjor, duke u përhapur me shpejtësi në një zonë të pyllëzuar dhe me bagëti.

Prej mëngjesit të djeshëm, perimetri i përfshirë nga flakët është në monitorim të vazhdueshëm nga policia, ndërsa operacionet për shuarjen e zjarrit vijojnë.

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Gjirokastrës, ndërkohë që 40-vjeçari do të përballet me akuzën për “Shkatërrim me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›