Zjarret/ Situatë kritike në Gramsh! Dyshohet se ka humbur jetën një person

Situata nga zjarret në Gramsh është përshkallëzuar ndjeshëm, duke detyruar autoritetet të lëshojnë urdhër evakuimi për banorët e tre fshatrave: Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë. Dy fronte aktive dhe të rrezikshme zjarri janë përhapur me shpejtësi që prej mëngjesit, duke rrezikuar seriozisht banesat dhe jetën e qytetarëve.
Sipas burimeve nga Bashkia e Gramshit, dyshohet për një humbje jete si pasojë e zjarrit, megjithëse autoritetet ende nuk kanë dhënë një konfirmim zyrtar. Hetimet dhe verifikimet në terren janë duke vijuar.
Në vendngjarje janë dislokuar 80 trupa të Forcave të Armatosura, të cilët bashkë me forcat vendore të emergjencës dhe zjarrfikëses po punojnë në kushte ekstreme për të izoluar flakët.
Ndërkohë, në vijim pritet mbështetje nga ajri, me helikopterë zjarrfikës që do të ndihmojnë në frenimin e përhapjes së zjarrit në terrenin malor dhe të vështirë.
/vizionplus.tv