Arrestohet 41-vjeçari që ndezi zjarr pranë urës së fshatit Hoxharë e Vjetër

TIRANË, 11 gusht /ATSH/ Policia e Fierit arrestoi në flagrancë një 41-vjeçar, pasi ndezi zjarr pranë urës së fshatit Hoxharë e Vjetër, duke shkaktuar djegien e një sipërfaqeje me bimësi dhe shkurre.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier vunë në pranga shtetasin J. S., banues në Mbrostar Ura, i cili u kap nga shërbimet e Patrullës së Përgjithshme gjatë kryerjes së veprës penale. Zjarri u përhap për shkak të erës, duke dëmtuar sipërfaqen e tokës në zonë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier u bën apel qytetarëve që të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin. Gjithashtu, fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo rast të kësaj veprimtarie kriminale, duke garantuar anonimat dhe reagim të shpejtë.
/a.f/