Arrestohet 58-vjeçari, dyshohet për zjarrvënie në fshatin Shetel në Shijak

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Policia e Durrësit ka vënë në pranga një 58-vjeçar i cili dyshohet si autor i zjarrit që përfshiu një sipërfaqe të pyllëzuar në fshatin Shetel, Njësia Administrative Gjepalaj, Shijak, duke rrezikuar djegien e banesave.
Policia njoftoi sot se “falë veprimeve të shpejta hetimore, në orët e para të mëngjesit të sotëm, shërbimet e Policisë bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasit I. B., 58 vjeç, banues në fshatin Shetel, Njësia Administrative Gjepalaj, Shijak”.
“Arrestimi i tij u bë pasi, mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:00, duke djegur mbeturina në tokën e tij, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit dhe ka përfshirë një sipërfaqe të madhe të pyllëzuar në fshatin Shetel, duke rrezikuar edhe banesat pranë”, njoftoi policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve ose i mjedisit pyjor”.
/m.q/j.p/