Situata e zjarreve në Korçë, Prefektura: 3 vatra ende aktive

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Tre vatra zjarri vijojnë që të jenë aktive në qarkun e Korçës. Sipas njoftimit të Prefekturës së Korçës vatrat janë aktivë në fshatin Dishnicë, në Strelë dhe në Parkun Kombëtar të Prespës.
Fshati Dishnicë, Njësia Administrative Bulgarec, Bashkia Korçë
Zjarri vijon aktiv në disa vatra të izoluara në zonën ndërmjet fshatrave Dishnicë dhe Barç. Operacionet e shuarjes po kryhen nga pozicione të favorshme në terren, ndërsa zona e Çardhakut po verifikohet me kujdes për të shmangur rrezikun e përhapjes. Vatrat janë nën kontroll të neutralizuara duke u mbajtur në monitorim.
Parku Kombëtar Prespa, Bashkia Pustec
Terreni i thyer dhe era përbëjnë vështirësi për ndërhyrje direkte. Janë identifikuar dy vatra të vogla poshtë shkëmbinjve. Forcat janë të ndara në grupe të specializuara dhe të pajisura me mjete të përshtatshme për këtë terren. Mbikëqyrja ajrore me dronë vijon në mënyrë të pandërprerë.
Fshati Strelcë, Njësia Administrative Gorë, Bashkia Maliq
Zjarri është neutralizuar. Aktualisht ndodhen në terren 60 forca për monitorim dhe kontroll të vazhdueshëm të zonës, me qëllim parandalimin e çdo riaktivizimi të mundshëm të vatrave.
Po sipas Prefekturës së Korçës në terren përafërsisht “janë 171 forca njerëzore të angazhuara në operacione shuarjeje dhe monitorimi; 7 mjete të ndryshme zjarrfikëse, pyjore, njësive administrative, Reparti Ushtarak 1033 Drenovë; 5 mushka të ngarkuara me ujë dhe mjete për shuarjen e zjarrit me akses në zona të vështira; Dronë në përdorim për mbikëqyrje dhe orientim ajror të operacioneve”.
/m.q/j.p/