Arrestohet autori i dyshuar i vrasjes në Klos

TIRANË, 12 qershor /ATSH/ Një vrasje ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Klos, në fshatin Xibër. Policia njoftoi sot se është zbardhur ngjarja dhe është vënë në pranga autori i dyshuar, i cili u kap në mesnatë në Tiranë në zonën e Alliasit.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Personit në DVP Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mat, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur më datë 11.06.2025, në fshatin Xibër-Murrizë, ku pranë pronës së tij u gjet pa shenja jete dhe me dëmtime në trup të shkaktuara me mjet prerës, shtetasi S.V., 65 vjeç, banues në këtë fshat, kanë organizuar punën për nxjerrjen e autorit përpara përgjegjësisë penale dhe për sqarimin e rrethanave të rastit”, njoftoi policia.
Sipas policisë “si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, u zbardh dinamika e ngjarjes. Nga veprimet e kryera, dyshohet se shtetasit H.V. dhe S.V. fillimisht janë konfliktuar fizikisht për motive të dobëta dhe më pas shtetasi H.V. e ka goditur me armë të ftohtë (thikë) shtetasin S.V., duke i shkaktuar vdekjen”.
“Po në vijim të veprimeve, falë një informacioni të marrë nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë për vendndodhjen e autorit të dyshuar, shërbimet e DVP Tiranë kapën në lagjen Allias dhe vunë në pranga autorin e dyshuar të ngjarjes, shtetasin H.V., 32 vjeç, banues në Allias, i cili pas krimit ishte strehuar në banesën e vëllait”, njoftoi policia.
Në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua arma e ftohtë (thikë), që dyshohet se është përdorur nga autori.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Dibrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
/a.f/