E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet autori i sulmit me armë në Fier, në kërkim djali i tij 23-vjeçar

Policia e Fierit ka mundur të arrestojë një nga autorët e plagosjes së nënë e bir një ditë më parë në fshatin Dërmenas.

66-vjeçari Ali Cimili, së bashku me djalin e tij Afrim Cimili  qëlloi me armë në drejtim të Suzana Mernica dhe djalit të saj, Hysen Mernica.

Nga të shtënat nuk pati të dëmtuar edhe pse fillimisht u raportua se  Suzana Mernica ishte plagosur me armë.

Por nga ekspertiza mjeko-ligjore rezultoi se nënë e bir mbetën të lënduar nga goditja e motomjetit me të cilin ata lëviznin, nga automjeti që drejtonte  23-vjeçari i shpallur në kërkim.

Shkak i ngjarjes dyshohet të jetë një konflikt i mëparshëm ndërmjet 23-vjeçarit Afrim Cimili  dhe 26-vjeçarit Hysen Mernica.

Pas ngjarjes 23-vjeçari është larguar nga vendngjarja, së bashku me babanë e tij.

Në vendngjarje janë sekuestruar gëzhoja dhe prova që do t’i shërbejnë hetimit për këtë ngjarje.

Gjithashtu, janë sekuestruar njëri prej automjeteve të përdorur prej autorëve dhe 3 celularë.

Suzana Mernica është e afërme e Azgan Mernicës i cili vrau me plumb në kokë efektivin e Shqiponjave, Novruz Cenalia në vitin 2024./vizionplus.tv

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›