E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet autori i zjarrvënies në pyllin e fshatit Shetel në Shijak, rrezikoi banesat

Policia e Shijakut ka vënë në pranga autorin e dyshuar të një zjarri të madh që përfshiu një sipërfaqe pyjore në fshatin Shetel, Njësia Administrative Gjepalaj, duke rrezikuar seriozisht edhe disa banesa përreth.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:00, kur një zjarr i nisur nga djegia e mbeturinave në një tokë private doli jashtë kontrollit për shkak të erës së fortë, duke u përhapur me shpejtësi në një zonë të gjerë të pyllit.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak ndërhynë në vendngjarje dhe nisën hetimet për identifikimin e autorit. Si rezultat, në orët e para të mëngjesit të sotëm u arrestua shtetasi I. B., 58 vjeç, banues në fshatin Shetel, i cili dyshohet se ndezi zjarrin në mënyrë të pakujdesshme.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve ose i mjedisit pyjor”, parashikuar nga neni 206/a i Kodit Penal.

Policia e Shtetit apelon për qytetarët që të shmangin djegien e mbeturinave dhe çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr në zona pyjore apo pranë banesave, veçanërisht gjatë ditëve me temperatura të larta dhe erëra të forta.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›