E Hënë, 2 Nëntor 2026

Arrestohet avokati që goditi punonjësin e sigurisë në gjykatën e Vlorës, Dhoma e Avokatisë: Distancohemi

TIRANË, 10 tetor /ATSH/ Policia e Vlorës njofton se është arrestuar 42-vjeçari me inicialet R.LL, i cili goditi me grusht punonjësin e sigurisë në gjykatën e Shkallës së Parë në Vlorë.

Ngjarja ndodhi sot në mesditë. Sipas policisë, avokati 42 vjeçar, banues në Vlorë, ka goditur me grusht në fytyrë punonjësin në detyrë të sigurisë së objektit të gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, shtetasin F. M., 60 vjeç, i cili ka pësuar dëmtime në fytyrë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Goditjet për shkak të detyrës”, shtetasin R. Ll., pasi më datë 10.10.2025, rreth orës 12:30, në ambientet e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, gjatë një konflikti, ka goditur me grusht në fytyrë punonjësin në detyrë të sigurisë së objektit të këtij institucioni.

Pas kësaj ngjarjeje, reagoi edhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë së Shqipërisë, e cila ka dalë me një reagim lidhur me ngjarjen, ku ka dënuar aktin e dhunës, në të cilin u përfshi një avokat, njëherësh anëtar i Dhomës së Avokatisë.

Dhoma e Avokatisë, thekson se distancohet nga ky akt të cilin e quajtën të padenjë dhe të pahijshëm. Më tej Dhoma e Avokatisë shton që institucionet përkatëse të hetojnë dhe të zbardhin këtë incident.

“Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë dënon incidentin e dhunës në të cilin është përfshirë avokati R.Ll., anëtar i Dhomës së Avokatisë, Vlorë në ambientet e Gjykatës së Vlorës.

Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë distancohet nga kjo ngjarje duke e vlerësuar atë të padenje dhe te pahijshme për figurën e Avokatit. Në të njëjtën kohe ndjejmë keqardhje që ky incident ka ndodhur ne ditën e bojkotit të vendosur nga DHASH, pikërisht për të ndalur fenomenin e dhunës ndaj funksionareve dhe punonjësve në sistemin e drejtësisë, nisur nga vrasja e Gjyqtarit Astrit Kalaja”, thuhet në reagim.

“DHASH njofton të gjithë avokatët dhe opinionin publik se po e ndjek me shqetësim dhe seriozitet këtë ngjarje dhe do te ndërmarrë te gjitha masat e nevojshme për të trajtuar rastin e këtij avokati. Ne te njëjtën kohe, inkurajojmë institucionet përkatëse të hetojnë dhe të zbardhin këtë incident të shëmtuar”, vijon reagimi.

/e.i/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›