E Hënë, 2 Nëntor 2026

Arrestohet me urdhër të SPAK i dyshuari si drejtues grupi kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogës

TIRANË, 7 korrik /ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi sot arrestimin e një shtetasi shqiptar, të identifikuar me inicialet, E.B, i dyshuar si drejtues i një prej grupeve të strukturuara kriminale, të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Sipas SPAK, hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet europiane të drejtësisë, Departamentin e Policisë Kriminale, Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), si dhe me mbështetjen e Eurojust dhe Europol.

“Nga hetimet e deritanishme janë krijuar dyshime të arsyeshme se grupi kriminal organizonte trafikimin e lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Malit të Zi me destinacion Gjermaninë, nga Shqipëria drejt Turqisë, si edhe nga vendet e Amerikës së Jugut drejt vendeve të Bashkimit Europian. Një pjesë e komunikimeve mes anëtarëve të dyshuar janë përftuar përmes analizës së bisedave në platformën e enkriptuar Sky ECC, të administruara nga autoritetet franceze në kuadër të ndihmës juridike ndërkombëtare”, njoftoi SPAK.

SPAK bëri të  ditur se hetimet kanë dokumentuar tre episode të trafikut ndërkombëtar të drogës

“Më 3 nëntor 2020, autoritetet malazeze sekuestruan 1,722 kilogramë marijuanë, e transportuar nga Shqipëria me destinacion përfundimtar Gjermaninë; Më 26 janar 2021, autoritetet turke sekuestruan 236 kilogramë marijuanë, të nisur nga Shqipëria drejt Turqisë; Më 23 nëntor 2020, autoritetet holandeze sekuestruan 475 kilogramë kokainë në Portin e Vlissingen, ngarkesë e ardhur nga Ekuadori”, njoftoi SPAK.

Nga këqyrja dhe analiza e të dhënave të administruara, njoftoi më tej SPAK është bërë e mundur identifikimi fillimisht i 14 (katërmbëdhjetë) personave nën hetim, të proceduar më parë për interesa të këtij procedimi penal: I. S., (alias X.,), E. Sh., R. Rr., B. S (alias X), A. N (alias L. S.,), H. S (alias X, alias L.,), V. B., P. Rr., G. Rr., A. A., (alias Ç.,), A. Gj., (alias I.,), A. Q., J. Ç., dhe M. B., ndaj të cilëve, janë caktuar dhe masat e sigurimit personal pasi dyshohen se kanë qenë të përfshirë në veprimtari kriminale në trafikimin të lëndëve narkotike.

Sipas SPAK, si rezultat i hetimeve të mëtejshme është identifikuar shtetasi E.B, njëri prej drejtuesve të grupit të strukturuar kriminal, veçanërisht për episodin e dytë, të trafikut të lëndës narkotike drejt Turqisë. Prokuroria e Posaçme i kërkoi Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë caktimin e masës së sigurimit personal ndaj shtetasit E.B. Me vendimin e datës 3 korrik, Gjykata e Posaçme vendosi ndaj tij masën e sigurimit “arrest në burg”. Kjo masë u ekzekutua më 6.7.2026 nga strukturat e Policisë së Shtetit.

“Ndaj personit nën hetim E. B., ndaj të cilit ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se ka konsumuar elementë të veprave penale: “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”, dhe “Grup i strukturuar kriminal”,  Hetimet vazhdojnë me administrimin e provave për implikimin e personave të tjerë, që dyshohet të jenë përfshirë në këto veprimtari të paligjshme kriminale”, njoftoi SPAK.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›