E Hënë, 2 Nëntor 2026

Arrestohet në Mal të Zi i shpalluri në kërkim për bashkëpunim në vrasjen e bashkëshortëve Mujeci

TIRANË, 18 qershor/ATSH/ Një 40-vjeçar nga fshati Torovicë (Lezhë) u arrestua nga Policia e Malit të Zi në Ulqin, falë informacionit të siguruar nga Policia e Shtetit, si dhe shkëmbimit në kohë reale të informacionit.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në zbatim të vendimit të Gjykatës së Lezhës, e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, në kuadër të hetimeve për ngjarjen e ndodhur më datë 26 prill 2026 në fshatin Balldren, ku u vranë me armë zjarri shtetasit K. Mujeci dhe G. Mujeci, bashkëshortë.

Menjëherë pas kapjes, shtetasi u deportua në Pikën e Kalimit Kufitar Muriqan, ku iu dorëzua shërbimeve të Policisë Kufitare shqiptare dhe më pas u shoqërua nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë.

Në vijim të veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve Kundër Personit në DVP Lezhë, u bë ndalimi i shtetasit B. K., 40 vjeç, banues në fshatin Torovicë, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në bashkëpunim.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasi B. K. dyshohet se ka ndihmuar autorët e kësaj ngjarjeje, duke fshehur në banesën e tij automjetin e përdorur prej tyre pas kryerjes së krimit. Automjeti u gjet dhe u sekuestrua nga shërbimet e Policisë gjatë kontrolleve të kryera në kuadër të hetimeve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme procedurale.

/k.s/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›