Arrestohet një i kërkuar për drogë e shfrytëzim prostitucioni, i dënuar në Itali me mbi 15 vite burg

Një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Belsh gjatë një operacioni policor të koduar “Operacionalja”, i zhvilluar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale.
Në pranga ka rënë shtetasi A. Gj, i njohur edhe me A. A. K, 61 vjeç, banues në Belsh. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Lucca-s në Itali e ka dënuar në vitin 2016 me 15 vjet, 9 muaj e 18 ditë burg për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni”, “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Plagosje”.
Arrestimi u bë i mundur pas informacioneve të siguruara në rrugë operative nga strukturat e Policisë së Shtetit, të cilat çuan në lokalizimin dhe kapjen e tij në Belsh.
Autoritetet bëjnë me dije se arrestimi i tij është kryer me qëllim ekstradimin drejt Italisë, ku do të vuajë dënimin e dhënë nga drejtësia italiane.
/rtsh.al/