E Hënë, 2 Nëntor 2026

Arrestohet një person i dënuar me mbi 7 vite burgim për aksident me pasoja fatale

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Policia e Tiranës ka vënë në pranga 40-vjeçarin, Klajdi Ruçi, pasi ishte i dënuar me shtatë vite burgim për aksident me pasojë vdekjen e dy personave vitin e kaluar dhe shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Policia e Shtetit bën me dije se në kuadër të operacionit “Unavoidable” u lokalizua dhe u vu në pranga në zonën e Shkozës në kryeqytet, 40-vjeçari, Klajdi Ruçi.

Sipas Policisë, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për vendndodhjen e një shtetasi të dënuar me burgim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me Komisariatin e Qarkullimit Rrugor, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Unavoidable”.

Në njoftimin e Policisë thuhet se, “Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar këtë shtetas me 7 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, pasi në vitin 2024 ka shkaktuar një aksident rrugor me pasojë humbjen e jetës së dy shtetasve”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

/e.i//r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›