E Martë, 3 Nëntor 2026

Arsimi profesional dual, rruga e shpejtë e integrimit të të rinjve në tregun e punës

TIRANË, 10 korrik/ATSH/ Arsimi i mesëm profesional u ofron të rinjve mundësi kualifikimi, duke i përgatitur ata nga punonjës të kualifikuar, deri në teknikë të mesëm në fushën përkatëse të studimit.

Për t’iu përgjigjur më së miri kërkesave të epokës së re në të cilën ka hyrë arsimi profesional në Shqipëri, por edhe një kërkese të vazhdueshme të biznesit, qeveria ka ndërmarrë nismën për zbatimin e sistemit dual, duke u mbështetur në praktikat më të mira ndërkombëtare.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Bendi Gonxhja publikoi sot historinë e Ankelit, i cili ka zgjedhur arsimin profesional dual.

Ai po ndjek shkollën profesionale duke mësuar profesionin në kompaninë OSHEE, ku udhëhiqet çdo ditë nga mentori i tij dhe njëkohësisht përfiton edhe pagesë.

Arsimi dual po i jep Ankelit njohuritë teorike dhe aftësitë praktike që i duhen për të ndërtuar një karrierë të sigurt në sektorin energjetik.

Ministri Gonxhja ftoi sot të rinjtë të zgjedhin arsimin profesional dhe të regjistrohen në klasën e 10-të përmes portalit e-Albania.

Sistemi publik i arsimit dhe formimit profesional përfshin 41 institucione, nga të cilat 31 janë shkolla profesionale dhe 10 janë qendra formimi. Këto institucione ofrojnë kualifikime profesionale të nivelit të mesëm, përfshirë edhe programe të arsimit profesional në formën e dyfishtë, kualifikime pas të mesme dhe programe formimi afatshkurtra, të përshtatura për të gjitha grup-moshat.

/a.gj//r.e//a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›