Projekti Qafë Plloçë-hyrja e Pogradecit, qeveria miraton shpronësimet

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot shpronësimin për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga realizimi i projektit “sistemim, asfaltim i aksit rrugor Qafë e Plloçës-hyrja Pogradec dhe unaza Pogradec”.
Në vendim thuhet se shpronësimi bëhet në favor të bashkisë Pogradec.
Sipas vendimit, bashkëpronarët e pasurisë të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë për pasuritë e llojit “arë”, “pemëtore”, “vresht”, “truall” dhe “apartament”, me një vlerë të përgjithshme prej 27 180 840.50 lekësh që do të përballohet nga buxheti i shtetit dhe llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
Në njoftim cilësohet se shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga bashkia Pogradec.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
/e.i/