E Hënë, 2 Nëntor 2026

Artikulli i NYT, Rama: Shqipëria, një destinacion turistik në rritje

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Prestigjiozja amerikane, “The New York Times”, i ka kushtuar një artikull vendit tonë duke u ndalur në disa prej potencialeve më të rëndësishme turistike të Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama, ndau sot në rrjetet sociale artikullin e publikuar në “The New York Times”, që e cilëson Shqipërinë si një destinacion turistik në rritje.

Rama shprehet se “artikulli veçon Parkun Kombëtar të Butrintit, plazhet e Ksamilit dhe qytetet bregdetare si Dhërmiu, Borshi e Saranda si destinacionet me të bukura për pushuesit”.

Po ashtu, sipas Kryeministrit, “The New York Times” ndalet edhe në qytete historike si Berati me trashëgiminë e tij mijëravjeçare dhe Gjirokastra si qyteti i gurtë, i mbrojtur nga UNESCO.

Në artikullin e publikuar në “The New York Times”, cilësohet se “Shqipëria është kthyer nga një shtet dikur i izoluar, në një destinacion turistik gjithmonë e në rritje, duke ofruar mundësi të shumta për turistët dhe me çmime të favorshme”.

Plazhe mahnitëse, natyrë e paprekur, vende historike të pazakonta dhe çmime të ulëta e kanë kthyer këtë ish-shtet eremit në një nga destinacionet më të reja të Evropës, shkruan Valeriya Safronova për prestigjiozen amerikane ”New York Times”.

Në artikullin e “The New York Times”, autorja Safronova shkruan se “në jug të Shqipërisë, praktikisht shumë afër nga ishulli grek i Korfuzit, qyteti i Butrintit ka qëndruar për mijëra vjet. Rrënojat e tij janë një ëndërr për dashamirët e historisë. Një teatër në natyrë, një pagëzimore bizantine dhe një ujësjellës romak. Dhelpra, skifterë dhe shqiponja enden në parkun kombëtar prej 93 kilometrash katrorë që përfshin thesaret arkeologjike të Butrintit”.

“Shqipëria është lloj destinacioni, ku një udhëtar mund ta nisë ditën me një shëtitje nëpër antikitet dhe ta mbyllë me një kërcim mbi rërë.Kjo mund të jetë një arsye madhore pse kaq shumë njerëz po vijnë këtu”, vijon artikulli.

Vitin e kaluar, thuhet në artikull, “11,7 milionë vizitorë hynë në Shqipëri nga 10 milionë një vit më parë dhe ata jo vetëm që shkuan në plazhe dhe vende historike, por gjithashtu eksploruan malet dhe liqenet në veri, si dhe Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosë, rekomanduar si një nga 52 vendet për t’u vizituar në vitin 2023”.

Foto nga artikulli për Shqipërinë i publikuar në “The New York Times” 1 nga 6

/e.i//r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›